Kur ke në formacion Kristiano Ronaldon, Paulo Dibalën dhe Dagllas Kostën, kur në stol është Gonzalo Higuain, dhe kur Bernardeski e ndonjë tjetër nuk gjejnë vend për të luajtur, ç’fat më të madh se ky mund të kërkojë një klub apo një trajner? E tillë gjendja e Juventusit që, jo më kot, kryeson Serinë A. Gjithsesi, me 59 gola të shënuar deri tani, kampionët nuk janë më të fortët, pasi lihen prapa nga Lacio (66), madje edhe nga Interi (62).
Gjithsesi, është një ekip në Itali që i bën të tjerët t’i vijë turp nga vetja, dhe ky e ka emrin Atalanta. Fitorja 2-0 ndaj Napolit bëri që bergamaskët e trajnerit Gasperini të arrijnë në 82 gola të shënuar, pra 23 më shumë sesa Juvja. Ku janë, pra, CR7, Dibala e Higuain, në krahasim me Frojlerin, Zapatën e Gomezin, që janë treshja e sulmit e Atalantës. Madje, këtë herë shënuan Pashaliç e Gosens, ndërsa kapiteni Papu Gomez dha asist. “Ishte një provë pjekurie, – thotë Gasperini, – luajtëm me më shumë kujdes se në të kaluarën, duke mos lejuar gabime në mbrojtje, e duke krijuar më shumë raste për gol”.
Sfidanti.al