Siti apo Liverpuli? Kush do ta fitojë sot “Duelin e titanëve” ne “Etihad”?!

Pritet që në “Etihad” të fillojë me respekte.  Roja e nderit është bërë shpesh në La Ligën e Spanjës, ku njihet me emrin “pasijo”, dhe këtë ka premtuar ta bëjë Mançester Siti, ndërsa do të presë kampionen e saposhpallur të Anglisë, Liverpulin. Luhet në orën 21:15, me çështjen e titullit të zgjidhur, dhe këtë herë pa tifozë, por gjithsesi sfida nuk mund të jetë diçka e vogël.

Përballë janë ish-kampionët me kampionët, yje me të dyja fanelat veshur, si dhe Pep Guardiola e Jurgen Klop. Të kuqtë fituan 3-1 në fazën e parë në “Anfildin” e mbushur plot, një sukses që vlerësohet si kyç, në marshimin drejt titullit. Po këtë herë çdo të ndodhë? Do të hakmerret Siti, për të mbrojtur nderin e kampiones, apo Liverpuli do të marrë të paktën barazimin, apo do të fitojë për të thyer rekordin e Sitit me 100 pikë të fituara në një sezon të Premier Ligës?

“Liverpulit do t’i bëjmë urimet dhe përgëzimet që meriton, – u shpreh Guardiola, – këtë vit pati më shumë dëshirë sesa ne, por sezonin e ardhshëm, kundërshtari do ta ndjejë presionin tonë. Në sport, duhet të provosh veten sa herë që fiton. Jemi shumë të lumtur me atë që kemi bërë deri tani, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm. E kaluara është e kaluar. Unë e admiroj Klopin, admiroj stilin e tij, pasi i bën shumë mirë futbollit, një stil sulmues, ashtu siç më pëlqen mua”.

Siti synon të fitojë Kupën e Anglisë, pasi fitoi Kupën e Ligës, por sidomos Championsin, pra sezoni sërish mund të jetë i suksesshëm. Klopi, ndërkaq, e ka të vështirë, pasi tani pyetet për mbrojtjen e titullit sezonin e ardhshëm, përderisa e fitoi këtë vit.

“Të mbrojmë titullin? – thotë ai në formë pyetjeje, – në asnjë mënyrë, ne do të sulmojmë titullin e ardhshëm. Nga përvoja kam mësuar se kur mendon se ke arritur kulmin, do të thotë se ke nisur rrugën për poshtë. Unë nuk e ndjej këtë për ne, nuk e ndjej veten të kënaqur, ky ishte thjesht një hap, një hap i madh, jashtëzakonisht i madh, por nuk dua të flas sot për këtë me djemtë e mi. Dua të flas për këtë pas 20 vjetësh.  Gjithsesi, së parë le të flasim për ndeshjen ndaj Sitit, që do të jetë shumë e fortë. Duhet të japim maksimumin për të marrë rezultat”.

Siti do të jetë pa Sergio Agueron dhe Erik Garsinë të dëmtuar, dhe pa  Fernandinjon e pezulluar. Liverpulit i mungojnë të dëmtuarit Xherdan Shaqiri, Milner dhe Matip. Vendasit jepen favoritë për të fituar, ndërsa dy skuadrat kanë pasur  vetëm 1 barazim në 13 ndeshjet e fundit mes tyre.

Sfidanti.al