Arsenali do të përpiqet sot të mos mbetet më tej prapa në luftën për titull në Premier Ligë dhe trajneri Arsen Venger ka dy arsye më shumë për të qenë optimist. Mbrojtësi gjermano-shqiptar, Shkodran Mustafi, dhe sulmuesi Deni Uelbek, janë kthyer nga dëmtimet dhe po përpiqen ta bindin francezin se janë gati për të qenë në fushë. Mediat britanike shkruajnë se Mustafi me shumë gjasa do të jetë që nga minuta e parë, në përballjen e sotme në orën 17:00 ndaj Kristal Palasit. Mbrojtësi i qendrës ka 3 javë jashtë ekipi për shkak dëmtimi, dhe kjo është ndjerë nga Arsenali që ka mbetur më prapa se kur ai ishte në fushë. Uelbek ka më gjatë që mungon, pasi dëmtimi në gju në maj (2-2 ndaj Junajtidit) ishte i rëndë. Arsenali ka 37 pikë, dy më pak sesa Mançester Siti i vendit të tretë, por mund ta kalojë me një fitore.