Çdo skuadër e madhe që e konsideron veten pretendente për tituj të mëdhenj duhet të ketë patjetër disa yje të rëndësishëm. Në Angli, kështu ka qenë me Liverpulin e madh të kohëve të vjetra, me Mançester Junajtidin e Sër Aleks Fergusonit, Arsenalin e Vengerit apo Çelsin e Murinjos. Kështu duhet të jetë edhe për Liverpulin e Klopit. Një nga ish-kapitenët e të kuqve të disa viteve më parë, Xhemi Karrager, gjithsesi, nuk është shumë optimist ndonëse vlerëson lart sidomos një personazh.
“Është Jurgen Klop ylli i padiskutueshëm i këtij Liverpuli, – thotë zv. kapiteni i kohës së Stiven Xherrardit, – ai e ka ndryshuar kaq shumë këtë skuadër, veçse nuk mendoj se Liverpuli i ka lojtarët e nevojshëm për të fituar titullin. i vetmi që mund të quhet yll nga lojtarët është Filip Kutinjo (aktualisht i dëmtuar).
Karrager ka qenë pjesë e Liverpulit që fitoi Championsin në 2005 dhe iu afrua shumë titullit duke dalë në vend të dytë në 2009, nën drejtimin e trajnerit Rafa Benitez. Brezi tjetër që thuajse doli kampion ishte ai i tre viteve më parë, nën drejtimin e Brendan Roxhersit, ku luanin Stiven Xherrard, Luis Suarez, Daniel Starrixh dhe Rahim Stërling.
Klop, gjithsesi, ka krijuar një skuadër të rëndësishme me lojtarë si Kutinjo, Mane, Milner, Henderson, Lalana. Trajneri gjerman ka bilancin shitje-blerje lojtarësh në “Anfild” me vlerë vetëm 8 milionë euro shpenzim, në krahasim me 180 milionë të Mançester Sitit këta dy vjet. Gjithsesi, Liverpuli është skuadra që shënon më shumë në Angli, me ritëm të njëjtë me atë të ekipit të famshëm të drejtuar nga Keni Dalglish në 1990, ndërsa ka shënuar më shumë gola këtë vit sesa Barcelona, Bajerni dhe Reali.