Ndeshja e javës, Skënderbeu-Tirana, së cilës iu vu një mbulesë e artë kur u bekua se ishte një ndeshje karakteri, do të mbahet mend për disa arsye. Do të kujtohet për ndarjen me thikë të protagonizmit gjatë 90 minutave, ku Skënderbeu zaptoi frenat e lojës për 45 minuta dhe mbylli sytë në pjesën e dytë. Nuk do të harrohet edhe roli kontradiktor i Tiranës, ku në pjesën e parë vetëm kërkonte çelsin e humbur në fushë, ndërsa në të dytën u shfaq si zot shtëpie.Aq sa u tha se tregoi karakter të fortë kur përmbysi, por harruam të thonim se 45 minutat e para i luajti pa karakter! Kjo ndeshje do të mbahet mend edhe për një frazë në koment të ish-futbollistit dhe trajnerit, Nevil Dede. Fraza e tij dogji shumë më tepër se dy golat e sulmuesit Ngo: “ Më çudit fakti se si ekipet e trajnerit Daja shkërmoqen në pjesën e dytë ..”
Një frazë që me siguri nuk i ka prishur humorin vetëm trajnerit Daja, sepse ajo të çon në një dynja tjetër, ku loja nuk mund të shpjegohet dot me frazat “ kisha mungesa” apo “ ishin futbollistë të rinj, pa përvojë..ndaj e pësuan ashtu”. Sa herë i bëjmë kurban të rinjtë , për të justifikuar çorbën e të ..vjetërve! Po si reagoi Daja kur Nevil Dede lëshoi “qoften me helm”? Mund të quhet një përgjigje e koduar, nga ato që më mirë se kushdo i dinë vetë trajnerët. “ Ti Nevil, ke qënë trajner edhe vetë! Edhe ty të ka ndodhur, kur ke patur ekip..” Daja nuk gënjen, por në fjalët e tij nuk mëson asnjë të vërtetë. Ç‘dreqin ndodh në ekip, kur je i gjallë në pjesën e parë dhe vetvritesh në të dytën? Këtë nuk e thotë as trajneri i trefishtë kampion, Ilir Daja, por , nuk e shpjegoi dot as Nevil Dedja, edhe pse pyetja e tij.. dukej sikur kishte brënda edhe përgjigjen…
Sfidanti.al