Në një letër të hapur të publikuar te Liverpool Echo, Jurgen Klopp u tërhoqi vëmendjen tifozëve të skuadrës së tij, Liverpool që nuk respektuan masat e sigurisë sanitare teksa të premten festuan si të cmendur titullin kampion të Anglisë që The Reds e fitonin pas 30 vitesh.
Ishin me mijëra persona që u mblodhën në Pier Head, për të festuar këtë sukses që e prisnin prej 3 dekadash. Policia foli për përplasje të dhunshme dhe hedhje sendesh gjatë këtyre festimeve të cilat vazhduan në qendër të qytetit deri në orët e para të mëngjesit pa pyetur fare për protokollin duke injoruar në këtë mënyrë distancimin social.
Klopp në letrën e tij tha se nuk i pëlqyen skenat që u panë gjatë këtyre festimeve.
‘Jam një qënie njerëzore dhe pasioni juaj është edhe i imi, por në këtë moment ka më shumë rëndësi të mos bëhen grumbullime të tilla-shkruante Klopp në letrën e tij të hapur-u detyrohemi personave më të brishtë të komunitetit tonë, punonjësve të shëndetësisë që kanë dhënë maksimumin dhe që ne i kemi duartrokitur, ashtu sikurse edhe policisë dhe autoriteteve lokale që po na ndihmojnë si klub’
Trajneri gjerman i ftoi tifozët të festojnë në një formë të sigur në ambiente private.
‘Nëse gjërat do të ishin ndryshe, nuk do të doja asgjë përvecse të festoja bashkë me ju, me një paradë me autobus të hapur në mes të qytetit që do të ishte akoma më e madhe se ajo që bëmë kur fituam Championsin vitin e kaluar për të ndarë këtë moment special, por kjo thjesht nuk është e mundur. Kur të jetë momenti i përshtatshëm do të festojmë. Do të përfitojmë dhe do të ngjyrosim qytetin me të kuqe. Por tani qëndroni në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur’.
Ndërkaq vetë Liverpooli, në një komunikatë të përbashkët me policinë dhe bashkinë ditën e shtunë kritikoi tifozët që injoruan masën e distancimit social, ndërsa autoritetet llogaritën se dëmet në prona janë të paktën 10 mijë Euro
Sfidanti.al