Robeni duhet të marrë tek Groningeni edhe doktor Myler-Volfartin!

Që kur ishte një adoleshent “buzëqumësht” e deri kur mbërriti tek Bajernit, karriera e tij u torturua nga dëmtimet. Tek Reali i Madridit, ai luajti vetëm 17 ndeshje në dy vjet, dhe kur bavarezët paguan 24 milionë euro për ta marrë, Uli Hënesi shkoi të takonte doktorin e ekipit, Myler-Volfartin, duke i dhënë këtë porosi: “Ne kemi marrë Arjen Robenin, dhe ne duam që ai të mos dëmtohet më”.

U tha, u bë, dhe njeriu i famshëm i mjekësisë sportive bëri mrekullinë. Holandezi “fluturues” humbi shumë pak ndeshje në Mynih, dhe një herë Myler-Volfarti tha: “Robeni është si një motor i Formula 1”. Sot, ky “motor i Formula 1” po bën provë që të kthehet në futboll 1 vit e 1 muaj pasi tha “lamtumirë”. Ai po dëgjon zemrën dhe po shkon tek Groningeni, ekipi ku luajti që 12 vjeç, debutoi në skuadrën e parë 16 vjeç, kaloi tek PSV Ajndhoveni 18 vjeç, dhe shkëlqeu për Çelsin, Realin (jo edhe aq) dhe Bajernin.

“Pas 18 vjetësh po kthehem në shtëpi, – shprehet Robeni, – po vij në një kohë krize. E di se do të jetë një barrë e rëndë fizike për mua, por duhet ta provoj. Shpresoj që duke nisur nga sezoni i ardhshëm të luaj për Groningenin”. Gjithsesi, klubi holandez duhet të rikthejë nga pensioni edhe doktorin e famshëm, Myler-Volfart.

Sfidanti.al