Nuk dihet sesa mijëra njerëz ishin në rrugët e sheshet e Liverpulit, dhe pranë stadiumit “Anfild”. Kjo ka pak rëndësi, vlen më shumë për statisticienët, ndërsa për logjikën normale të njeriut mjafton të thuhet se ishin shumë. Vërtet shumë. Ndoshta, në mars-prill nuk do të kishin qenë kaq, pasi “ofensiva e epidemisë” ishte në kulmin e saj, por gjithsesi nuk ka koronavirus në botë që të ndalë tifozët për të festuar titullin e parë pas 30 vitesh pritjeje.
Qyteti i Liverpulit, të paktën gjysma e tij e kuqe, e kremtoi siç duhet këtë sukses të madh, që mediat britanike po e quajnë më të madhin në epokën e Premier Ligës, pse jo edhe të gjithë historisë së kampionatit në Angli. Liverpuli i Klopit vihet edhe mbi Arsenalin e Të Pathyeshmëve të Arsen Vengerit, Mançester Junajtidin më të mirë të Sër Aleks Fergusonit, apo Çelsin e e parë të Zhoze Murinjos.
“Deili Meili” shkruan se ndryshimi në atmosferë në Liverpul ishte i jashtëzakonshëm. Vetëm 24 orë para shpalljes kampion, vetëm 23 tifozë e pritën autobusin e ekipit që mbërrinte në “Anfild” për ndeshjen ndaj Kristël Palasit, ndërsa pas fitores së Çelsit me Sitin, në rrugë dolën me mijëra. Nuk munguan karvanet me makina, apo zjarret me flakadanë e mjete piroteknike. Nuk munguan tregtarët nëpër cepa rrugësh që shisnin fanela të thjeshta për 10 paundë, biznesi është biznes, ndërsa hera e fundit që ndodhi kjo gjë ishte pas fitores së Stambollit në Champions ndaj Milanit, në 2005.
Sfidanti.al