Mateusi: Tiago? Bajerni të mbajë liderët Levandovski, Nojer e Kimih!

Ish-kapiteni mendon se një spanjoll më pak nuk do të bënte ndonjë dëm të madh në Mynih. Lotar Mateus pyetet nga revista “Sky Sporti” se çfarë mendimi ka për largimin e mundshëm të Tiago Alkantarës nga Bajerni, ndoshta për tek Liverpuli (apo edhe tek Barcelona?). “Tiago ka dhënë shumë për Bajernin, – u shpreh ai, – por, largimi i tij nuk më duket diçka dramatike. Në ndeshjet e mëdha do të kisha dashur ta kisha parë më shumë. Në fund të fundit, një lojtar edhe mund t’i thotë “jo” Bajernit”.

Mateusi nxit drejtuesit bavarezë që të mbajnë fort udhëheqësit si Levandovski, Nojer e Kimih, të cilët janë shtylla e ekipit, dhe thotë se Kimih apo Gorecka mund të mbulojnë pozicionin e Tiagos. Për më tepër, ish-kapiteni bavarez dhe gjerman shprehet se “nëse Bajerni merr Havercin, minimalisht e ka zëvendësuar Tiagon, në mos ka dalë më mirë”.

Sfidanti.al