Futboll luhet në Angli, Gjermani, Spanjë, Francë, Itali apo kudo në Perëndim, futboll edhe në Shqipëri. i rrumbullakët topi tek ne, sferik edhe tek ata, por ja që ne kemi disa “huqe” që nuk i kanë të tjerët. Këtë e thekson drejtori sportiv i Teutës, Artan Shyti, i cili thekson se tjetër lloj goditjeje ka dhënë koronavirusi në Europë, e tjetër në Superligën tonë.
Nëse në Premier, La Liga, Bundesligë, Serinë A apo Ligën e Parë ka pasur rënie të madhe të të ardhurave nga sponsorët, probleme me të drejtat televizive, dhe “shterim” të “burimit” në të ardhurat nga biletat, në Shqipëri këto janë “thërrime”. Ne kemi të drejtë të vogël televizive, e cila është dhënë dhe nuk kthehet mbrapsht, nuk është se kemi sponsorizime, dhe kemi pak tifozë në stadiume, me përjashtim të derbit në “Arenën Air Albania”.
Gjithsesi, në futbollin “gjysmagjel” të Shqipërisë, goditja kryesore është dhënë tek bizneset e presidentëve, sponsorëve, donatorëve të klubeve. Për ta kuptuar këtë, Shyti thotë se shpenzimet nga presidentët janë 5-fish apo 7-fish i të ardhurave të tjera. Jo më kot kanë nisur protestat, siç ndodhi te Kukësi, jo për të rrëzuar ndonjë statujë, por për të rrëzuar nivelin e futbollit të Superligës. S’ka si ndodh ndryshe kur kriza e ka rrëzuar nivelin e jetesës së lojtarëve.
Sfidanti.al