Nuk ishte kjo lloj atmosfere, dhe as që mund të mendohej të ndodhte. Gjithsesi, gur, gur, bëhet mur, thotë populli dhe në Danimarkë tifozët po hyjnë në stadium gjithnjë e më shumë në numër. Nën masa të forta sigurie, u zhvillua derbi i kryeqytetit, mes Brondbit dhe FC Kopenhagenit, sfida më e nxehtë e futbollit në vend, edhe pse çuditërisht tepër e re, nisur në vitin 1992. Autoritetet lejuan që në “Brondbi Stadion” të ishin 3 000 spektatorë. Shumë më pak se kapaciteti i tij i plotë prej 28 000 vendesh, por gjashtë herë më shumë se norma e deritanishme, prej 500 vetësh.
Një shenjë kjo se futbolli po kthehet dhe se frika nga koronavirusi po kalon. Publiku e festoi siç duhet këtë sukses, që shpresohet të mos jetë i përkohshëm. Edhe pse derbi përfundoi në barazim 1-1, ishin pikërisht tifozët që dolën fitues, pasi ata respektuan të gjitha rregullat sipas protokollit, duke treguar se përse shoqëritë e vendeve nordike njihen si më të civilizuarat në botë.
“Pas 3 muajsh ndërprerjeje të plotë, pa pasur mundësi për të shkuar në stadium, kjo ishte eksperienca më e bukur e jetës sime, – u shpreh një tifoz që ndoqi ndeshjen, – na u duk sikur ishim 30 000 vetë sot”.
Informacionet nga Danimarka janë që autoritetet parashikojnë të rrisin gradualisht praninë e tifozëve në stadiume. Danezët u treguan më të kujdesshëm sesa autoritetet serbe, p.sh., që lejuan zhvillimin e derbit të Beogradit, Partizan-Crvena Zvezda, me kapacitet të plotë në gjysmëfinalen e Kupës, duke rrezikuar përhapje edhe më të madhe të koronavirusit.
Sfidanti.al