Rashica humbi penalltinë? Punë e madhe, sërish do t’i gjuajë ai!

Djali i shkathët nga Kosova ndoshta nuk është në momentin e tij më të mirë dhe koronavirusi mund të ketë ndikuar, por trajneri Florian Kohfeld vazhdon të ketë besim. Milot Rashica humbi penallti në fitoren 5-1 që Verderi arriti në fushën e Paderbornit, veçse vendimi është që ai do të vazhdojë të gjuajë nga 11 metra larg. “Unë besoj se Miloti do të vazhdojë të ekzekutojë penalltitë tona, – tha Kohfeldi, një ditë para duelit ndaj Bajernit, – ai do të jetë njeriu që do t’i gjuajë. Nuk duhet t’i japim më shumë rëndësi sesa duhet penalltisë së humbur në Paderborn”. Bilanci i Rashicës nuk është shumë i keq, pasi ka shënuar 4 e humbur 2, ndërsa Davi Klasen ka shënuar vetëm 1 në 3. Fitorja 5-1 bëri që Verderi të ketë shpresë për mbijetesë në Bundesligë, duke qenë ende në zonën “e ftohtë” me 28 pikë, baraz me Fortunën e Dyseldorfit që mban vendin e 16-të (pra vendin e plej autit) falë golaverazhit më të mirë.

Sfidanti.al