Planet e Gaz Demit me Sormanin, nga skuadra e parë e Partizanit, tek Akademia!

Për numrin 1 të klubit duket sikur nuk ka ndodhur gjë. Partizani mund të jetë një zhgënjim i vërtetë këtë sezon, por presidenti Gazmend Demi ka plane të mëdha të lidhura me trajnerin Adolfo Sormani. Këto nuk lidhen vetem me skuadrën e parë, që doli kampion me trajner Skënder Gegën, e që rrëshqiti keq këtë vit me dy teknikët italianë.

Demi synon që, bashkë me ndërtimin e kompleksit të klubit, të krijojë edhe një Akademi moderne, për të cilën do ta ndihmojë pikërisht Sormani. Italiani ka punuar me moshat e reja tek Juventusi e tek Napoli, dhe vlerësohet si një nga më të mirët në këtë fushë.

Gjithsesi, planet janë edhe për Partizanin e të rriturve. Presidenti ka si objektiv të ulë shpenzimet, në një periudhë të vështirë financiare, të shkaktuar nga koronavirusi, dështimet me ekipin në Europë, si dhe për shkak të ndërtimit të kompleksit.

Shumë e diskutuar, e ardhmja e kapitenit Alban Hoxha. Portieri titullar, nuk ka luajtur dy ndeshjet e fundit, ndërsa ka pasur bisedime me drejtuesit, të cilët mësohet si i kanë kërkuar të ulë rrogën. Flitet se Hoxha fiton 5 000 euro në muaj, dhe mund t’i ofrohet një kontratë me pagë më të ulët. Palët mund të bien dakord, por drejtuesit kërkojnë që kapiteni të impenjohet më shumë për të pasur formën e tij më të mirë.

E sigurt është që nga Partizani do të ketë largime, e se mund të mbahen vetëm pak nga veteranët e sotëm, si Lorenc Trashi apo Bruno Telushi, ndërsa Sormani do të bazohet tek lojtarë më të rinj si Çinari, Cara apo Ferrati.

Sfidanti.al