Pse Mekgregori u tërhoq nga UFC-ja? “Unë nuk jam një zëvendësues”!

Ka pasur prapaskena në vendimin e luftëtarit irlandez për t’i dhënë fund karrierës në artet e përziera marciale. Këtë e zbulon presidenti i UFC-së, Dejni Uajt, i cili tregon për bisedimet që ishin zhvilluar me Konor Mekgregorin përpara sesa Xhastin Getje të ndeshej me Toni Fergusonin, për një brez të artë në peshat e lehta. Fillimisht, ishte menduar që dueli do të ishte mes Habib Nurmagomedovit dhe Toni Fergusonit, por luftëtari ruso-dagestanas u bllokua në Moskë për shkak të koronavirusit, dhe nuk mundi të merrte pjesë në sfidë.

Uajt tregon se i ofroi Mekgregorit shansin për t’u ndeshur me Fergusonin, që pastaj të kishte mundësi të kishte revanshin e ëndërruar ndaj Nurmagomedovit. “Unë nuk jam një zëvendësues, – u përgjigj irlandezi krenar, që njihet me nofkën “Famëkeqi” (The Notorious), – unë dua të ndeshem direkt me Getjen, dhe pastaj me Nurmagomedovin”. Kjo nuk u pranua nga Uajti, i cili zgjodhi Getjen për t’u ndeshur me Fergusonin, gjë që u bë dhe Getje doli fitues. Me gjasë, tani do të kemi duelin unifikues të titujve Nurmagomedov-Getje. Mekgregori deklaroi tërheqjen nga sporti duke thënë se “kjo gjë nuk më jep kënaqësi”, por opinionistët mendojnë se ai do të kthehet përsëri.

Sfidanti.al