Superliga rinis pas 84 javësh, por ka frikë nga dëmtimet dhe mungesa e tamponëve!

Ishte e hëna e 9 marsit dhe aty gjithçka u ndal. Federata Shqiptare e Futbollit siguroi të paktën lejen që të luheshin dy ndeshjet e fundit të javës së 26-të, ndërsa sot pas 74 ditësh, Superliga po rifillon. Pezullimi i gjatë për shkak të koronavirusit, për momentin, u ndërpre dhe kampionati do të rifillojë të luhet në orën 17:00 me katër ndeshje, dhe në orën 20:00 me sfidën e fundit, Partizani-Skënderbeu.

Tirana kryesuese udhëtoi drejt Ballshit, për të luajtur ndaj Bylisit, ndonëse skuadra mallakastriote ishte gjatë gjithë kohës në dyshim për të dalë në fushë për shkak të daljes pozitiv me virus të lojtarit Qardaku. Testet e lojtarëve të tjerë janë negativë, por disa prej futbollistëve besohet se nuk e kanë kaluar analizën. Tirana është e plotë, duke marrë me vete edhe sulmuesin Majkëll Ngo, që nuk deshi të udhëtonte për ndeshjen, për shkak të kontratës, por edhe nga frika e koronavirusit.

Vllaznia po ashtu u nis në minutën e fundit për ndeshjen në Vlorë ndaj Flamurtarit. Lojtarët shkodranë patën pretendime për rrogat, dhe u desh një bisedë telefonike me kryetaren e Bashkisë, Ademi, që ata të bindeshin për të luajtur. Teuta ka një përballje të fortë në Laç, në një duel për vendet e kreut, ndërsa Kukësi pritet ta ketë shumë më të lehtë ndaj Luftëtarit. Në mbrëmje, kryendeshja Partizani-Skënderbeu pritet interesante, ndonëse besohet se niveli fizik i lojtarëve mund të bëjë që ritmi i ndeshjeve të jetë i ulët. Tirana kryeson me 53 pikë ndaj 44 të Kukësit.

Java 27: Ora 17:00, Kukësi-Luftëtari, Laçi-Teuta, Bylis-Tirana, Flamurtari-Vllaznia. Ora 20:00, Partizani-Skënderbeu.

Sfidanti.al