Dortmund-Bajern: Magjia e Kimihut, gafa e portierit, një VAR i “verbër”!

Parashikimet ishin pikërisht të tilla që skuadra mike do të arrinte fitoren. Kampionia në fuqi e Gjermanisë e bëri këtë gjë, edhe pse jo me lehtësinë që mendonin specialistët, madje u desh të kishte edhe të paktën dy ndihma. E para nga portieri vendas, Byrki, që gaboi në ndërhyrjen ndaj gjuajtjes së Xhoshua Kimihut në pjesën e parë. Dy minuta para pushimit, lojtari i kombëtares së Gjermanisë pati një moment magjik duke dërguar topin me hark mbi kokën e portierit të Dortmundit. Byrki, që kishte dalë përpara, gaboi në gjykim dhe nuk e grushtoi dot sferën siç duhet duke i dhënë Bajernit epërsinë.

Ndihma e dytë për bavarezët erdhi në pjesën e dytë, kur Boateng bllokoi me bërryl gjuajtjen e Halandit, që po drejtohej për në rrjetë. Do të kishte qenë gol, gjyqtari nuk arriti ta kuptonte, por problemi ishte që teknologjia VAR nuk ndërhyri. Pyetja që bëhet fuqishëm është: Përse? Në Gjermani nuk thonë se Bajerni ndihmohet për titujt, ai është shumë i fuqishëm për t’ia dalë vetë, por nëse Dortmundi do të kishte barazuar, mund të kishte shkuar ndryshe. Me këtë sukses kampionët janë 7 pikë para Borusias së vendit të dytë kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim.

Trajneri mik, Hansi Flik, mori lavdërime të tjera, ndërsa u theksua se taktika e tij për të minimizuar dëmet doli e suksesshme. Bajerni u tregua i pjekur, loja në mbrojtje ishte shumë e mirë, dhe portieri Manuel Nojer nuk pati ndonjë ndërhyrje të rëndësishme për të bërë, edhe pse Boateng largoi topin nga vija fatale që në minutën e 4-ët. Ndikoi mjaft edhe mungesa e tifozëve në “Signal Iduna Park”, por sidoqoftë Bajerni ishte tepër i fortë.

Sfidanti.al