Golat e Sadikut janë “vaksina” më e mirë e koronës për tifozët e Malagës!

Përpara ndërprerjes së kampionatit, ishte nga më të mirët. Armando Sadiku shënoi gola të rëndësishëm këtë sezon për Malagën në Ligën e Dytë të Spanjës, ndërsa mezi priti rifillimin e stërvitjeve pas ndërprerjes nga koronavirusi. Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, që vuajti edhe problemet me dëmtimet, tashmë është në formë me vetëm pak ditë përgatitje me skuadrën e tij.

Vetë 28-vjeçari postoi një video nga seanca e fundit me Malagën, ku shihej duke shënuar gola radhazi. Një formë e tillë e Sadikut premton shumë për ekipin për sezonin që rifillon në 8 qershor. Tek Malaga, përveç tij, bën pjesë edhe mesfushori i kombëtares, Keidi Bare, i cili gjithashtu ka qenë tepër i rëndësishëm, gjithmonë në formacion, e duke u shfaqur në formë të mirë në stërvitje.

Në 8 qershor, ekipi i dy shqiptarëve do të luajë në fushën e vet ndaj Hueskës, sipas kalendarit të divizionit të dytë. Malaga ndodhet në vendin e 15-të mes 22 ekipeve, me pozicion të përmirësuar në krahasim me disa muaj më parë, por sërish me rrezik për të rënë nga kategoria. Sadiku ka dhënë ndihmë të madhe për ekipin, duke qenë shënuesi më i mirë me 10 gola, në vendin e 9-të të renditjes së shënuesve të kampionatit.

Sfidanti.al