Borusia pritet të luajë sot ndeshjen e parë pa tifozë në stadiumin e saj, që pas rifillimit të Bundesligës. Në impiantin “Borusia Park” vërtet nuk do të ketë publik, por do të jenë plot 13 000 figura kartoni, me fytyrat e tifozëve të vërtetë të Mynshengladbahut, diçka që është “kapur” menjëherë në Angli dhe që do të shfrytëzohet nga një klub vogëlush që përpiqet të mbijetoi. Ky klub quhet Luis (Lewes), dhe është një nga shoqëritë që zotërohen nga tifozët, prandaj quhet Luis Këmjuniti Futboll Klub (Lewes Community Football Club).
Janë pikërisht 1 600 tifozë që kanë aksionet e klubit, ndërsa ata kanë menduar që të vendosin pikërisht figura kartoni të personalizuara në stadiumin e ekipit, “Driping Pan”, që ka 3 000 vende kapacitet, nga të cilët 600 të ulura. Plani është që secili tifoz, të cilit do t’i vendoset figura e personalizuar në stadium, duhet të paguajë, të themi, 20 paundë stërlina. Në këtë mënyrë mund të krijohen dhjetëra mijë paundë të ardhura, që do të ndihmojnë mbijetesën e klubit që luan në kategorinë e 8-të të futbollit anglez.
Sfidanti.al