Kumbulla po e çmend Europën, as Arsenali nuk “tutet” për 35 milionë euro!

Gara shtohet, sa më shumë vjen afati për të vepruar. Marash Kumbulla, padyshim, është një nga futbollistët më të kërkuar të momentit në Europë, dhe në garë për të ka hyrë edhe një klub tjetër. Flitet për Arsenalin në Angli, që vlerëson se mbrojtësi i kombëtares shqiptare mund t’i bëjë punë me karakteristikat dhe me vlerën e kartonit të ka.

Mediat britanike shkruajnë se për shërbimin e shqiptarit është rritur kostoja. Nëse më parë, besohej se mund të merrej për rreth 25 milionë euro, tani çmimi i kartonit shkon në 35 milionë. Gjithsesi, kjo nuk e bën të tërhiqet trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta, i cili dëshiron që të përforcojë skuadrën londineze, sidomos në repartin mbrojtës.

“Topçinjtë” kanë pësuar shumë gola këtë sezon, dhe kanë qenë të pasigurt në prapavijë, siç e tregoi edhe eleminimi në Ligën e Europës nga Olimpiakosi i Pireut, dhe Kumbulla mund të japë më shumë qendrueshmëri. Nëse transferimi ndodh, shqiptari me origjinë nga Shqipëria do të bashkohej me shqiptarin me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka. Ish-kapiteni është përfshirë sërish në planet e Artetës, për shkak të karakterit, pavarësisht se pati probleme me tifozët e Arsenalit, gjë që bëri të humbiste shiritin.

Gjithsesi, londinezët nuk do ta kenë të lehtë për Kumbullën, sepse për të interesohen edhe Interi, Lacio si dhe Totenhemi, por besohet edhe klube të tjera.

Sfidanti.al