Si ajo gruaja në Berat, e cila u bë e famshme me thirrjen e pavdekshme : “Aman, vetëm të pajtohen politikanët, të mos grinden me njëri-tjetrin se populli është gati të qëndrojë dhe pa bukë dhe pa ujë”. Edhe populli i mbijetuar i futbollit, sidomos në kohën e Pandemisë, është gati të sakrifikojë: “ Vetëm të bashkohet prapë, dhe njëherë, kryeministri Rama dhe presidenti Duka, si në kohët e arta të Europianit, por le të mbetemi pa rroga, pa tifozë në stadiume..” Dhe futbolli që e shpiku i pari maskën , me veset që lulëzuan, ku do të gjente një politikë më të bekuar se kjo!
Një politikë që e dredh belin sipas motit , kur la edhe kokën për futbollin në kohën e Europianit, apo kur bënte sikur nuk ishte gjallë kur u dënuam për për shkak të trukimeve, apo dhe tani në kohën e Covidit kur e trajton futbollin si një dyqan pa blerës, që edhe po të hapë qepenat, më shumë do të ketë rrezik, se sa do të ketë argetim!
E dine të gjithë se fatin e një ndeshje futbolli e vendos taktika, por kur në fushë janë shefat, taktika është shumë e rafinuar. Aq sa , loja i afrohet më shumë shahut dhe bilardos. Dhe kjo ka një shpjegim: ata kanë taletin dyfish për të qënë edhe lojtarë, edhe trajnerë!. Dhe kur kryeministri s’del në “fushë”, atëherë ndryshon dhe strategjia. Dhe sipas skemës , tamam këto ditë, është takuar presidenti i Republikës, Meta dhe presidenti Duka. Një takim që me gjuhën e futbollit mund të krahasohet me misionin e sulmuesit të fshehur, që luan sikur nuk është i interesuar për të bërë gol.
Dhe në fakt, “ndeshja” doli me gola poshtë , me vetëm një gol, që përmblidhet në frazën antipandemike : “ Futbolli është vaksina më e mirë në këto momente epidemie!” Ky është një moment i lumtur kur Presidenca e ngriti “qepenin”, por, si për ters, në Kryeministri.. i ndjell e kunderta. Janë afër e afër dy selitë madhore, por sa largohen kur futet topi në mes. Edhe në ditë euforie nuk janë bashkë, si atëherë, fill pas Europianit, kur ndezën derbin e tyre me dekorata dhe me buste, cila t’i bënte më të bujshme…
Sfidanti. al