Ishte sezoni i fundit i tij në basketboll, të paktën siç e mendonte atëherë. Majkëll Xhordan do të vishte për herë të mbrame fanelën e famshme të Çikago Bullsave në 1997-1998 e donte që ta përfundonte karrierën me triumf, veçse jo çdo gjë po shkonte siç duhet. Njëri nga lojtarët kryesorë të ekipit, Denis Rodman, ishte tepër i shpërqëndruar për të bërë detyrën në parket.
Siç tregon dokumentari për Xhordanin, i prodhuar nga “Netfliksi” (Netflix), ndodhi që Rodmani kërkoi leje nga klubi që të shkonte në Las Vegas, dhe leja iu dha. Xhordani ishte kundër dhe protestoi, por gjithsesi Rodmani shkoi në “Qytetin e Mëkatit”. Ai kishte lënë takim me të dashurën e tij të asaj kohe, aktoren Karmen Elektra (në foto), dhe donte t’ia kalonte sa më mirë.
Në Çikago, Xhordani u bëri namin drejtuesve duke u thënë se “ai po shkon, por ai nuk do të kthehet në stërvitje, ne nuk do ta shohim atë”. Xhordani tregon në dokumentar se “ai nuk erdhi në kohën e duhur, dhe unë duhej të shkoja atje për ta nxjerrë b… e tij nga shtrati, pak rëndësi ka se kush ishte aty”. Kapiteni i Bullsave mori aeroplanin dhe bëri gati 2 500 km (1 750 milje) udhëtim deri në Las Vegas, ku gjeti se ku ndodhej Rodmani, dhe i trokiti në derë.
Karmen Elektra u shpreh më hapur për atë moment. “Ra dera, – kujton ajo, – ishte Xhordani, dhe unë u fsheha poshtë çarçafëve. Nuk doja që të më shikonte ashtu. Ai i tha Denisit, “eja pra, ne duhet të shkojmë në stërvitje”. Kishte qenë natë e lodhshme, sepse brodhëm në restorant, në një klub nate, dhe pastaj diku, diku, e përfunduam në dhomë. Ishte rrezik i madh të ishe e dashura e Denisit, pasi ai ishte i çmendur”.
Gjithsesi, Xhordani u habit kur u kthyen në Çikago, pasi pavarësisht qejfeve në Las Vegas, Rodmani ishte në formë shumë të mirë fizike në stërvitje. Ndoshta, kënaqësia atij i jepte më shumë forcë. Çikago Bullsat e fituan titullin atë vit (1998) në finalen ndaj Juta Xhazit, me gjuajtjen e Xhordanit në sekondën e fundit.
Sfidanti.al