Rreziku mbetet i madh për të dështuar, por shpresa ekziston. Formula 1 mund të fillojë në 5 korrik me Çmimin e Madh të Austrisë, dhe me një kalendar të shkurtuar. Deri tani janë anuluar 10 gara, duke nisur me atë të Australisë që duhej mbajtur në muajin mars, e për të përfunduar me Çmimin e Madh të Francës. Autoritetet franceze e vlerësuan si të pamundur organizimin e garës së këtij viti të planifikuar në 28 qershor, për shkak të epidemisë së koronavirusit. Presidenti francez, Makron, kishte ndaluar më parë çdo aktivitet sportiv deri në mesin e muajit korrik.
Konfirmohet, ndërkaq, Çmimi i Madh i Britanisë, ndonëse ai nuk do të jetë si zakonisht. Organizatorët e konkurrimit, që mbahet në pistën e Silverstounit, lajmëruan se ata po përgatiten për të zhvilluar garën, por theksuan se ajo do të jetë pa tifozë. Humbja është e madhe sepse një ngjarje e tillë sportive zakonisht ndiqet nga më shumë se 100 000 spektatorë. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë e goditur fort nga epidemia e koronavirusit, por autoritetet sportive besojnë se janë kushtet për të zhvilluar garat, nën masa të forta sigurie. Formula 1 parashikon të ketë gjithsej 12 gara këtë sezon, të fillojë në 5 korrik në Austri dhe të përfundojë në 29 nëntor në Abu Dabi.
Sfidanti.al