FIFA, propozohen 5 zëvendësime për rifillimin e turneve

FIFA ka propozuar rritjen e numrit të zëvendësimeve nga 3 në 5 në momentin e rifillimit të kampionateve. Objektivi I qeverisë së futbollit botëror është që të mbrojë futbollistët duke iu dhënë më shumë mundësi për të pushuar dhe duke minimizuar rrezikun e dëmtimeve duke qenë se rinisja e kampionateve nëse do të jetë me ritme të larta me skuadrat që do të luajnë ndeshje cdo 3 ditë ne muajt më të nxehtë të vitit.

Propozimi  do të duhet të aprovohet nga IFAB dhe vendimi final do t’i takojë të merret nga secila prej Federatave. Federeata Ndërkombëtare e Futbollit nëpërmjet një komunikate ka specifikuar se zëvendësimet do të kryhen në 3 momente gjatë ndeshjeve dhe këtu shtohen edhe ato që do të kryhen gjatë pushimit të tyre. Nëse një skuadër do të dojë të bëjë të 5 ndërrimet gjatë 90 minutave të lojës do të duhet të bëjë në dy raste zëvendësime të dyfishta.

Në rast të ndeshjeve që do të kërkojnë kohë shtesë, numri i zëvendësimeve do të jetë 6. FIFA thekson edhe njëherë, se gjithsesi kampionatet do të nisin vetëm nëse qeveritë dhe autoritetete shëndetësore do të deklarojnë se situata është e sigurt dhe jo e dëmshme për shërbimet shëndetësore për popullsinë.

Sfidanti.al