Frika më e madhe këto kohë ka qenë për shëndetin e futbollistëve që mund të goditen nga epidemia e ditës. Gjithsesi, në Rusi tragjedia e madhe nuk ndodhi nga koronavirusi, por nga zemra, dhe u shua një djalosh fare i ri, 22-vjeçari Inokentij Samohvalov. Mbrojtësi i përkiste Lokomotivës së Moskës, por luante i huazuar në ekipin-satelit të “hekurudhorëve”, të quajtur Kazanka, dhe që konkurronte në kategorinë e tretë ruse.
Samohvalov mësohet se është ndjerë keq ndërsa po realizonte një seancë individuale, i ndodhur edhe ai në izolim si shokët. Pavarësisht se në Rusi koronavirusi nuk ka shkaktuar ato dëme njerëzore si në Europën Perëndimore apo SHBA, sërish futbolli është i ndërprerë. Lokomotiva e Moskës lajmëroi me hidhërim për tragjedinë, ndërsa nga Kazanka sqarojnë se 22-vjeçari humbi jetën nga zemra, ndonëse do të duhet të përfundojnë vizitat mjekësore për të gjetur shkakun.
Sfidanti.al