Nuk dihet se përse duhej të acarohej kaq shumë gjendja që të vinte një deklaratë si “aspirinë”. Shpejt pasi Manuel Nojer shprehu gjithë pakënaqësinë e tij për “rrjedhjen” informacioneve konfidenciale të bisedimeve të agjentit të tij me Bajernin për kontratyën e re, klubi reagoi. Vetë “vëllai i madh”, apo “babai” Karl-Hajnc Rumenige foli për tabloidin “Bild” duke qetësuar atmosferën.
“Unë mendoj se të dyja palët e dinë se çfarë kemi të përbashkët, dhe jam optimist që në fund do të gjejmë një zgjidhje të lumtur për të gjithë, – u shpreh shefi ekzekutiv bavarez, – dhe Manueli do të nënshkruajë kontratën e re”. Rumenige nuk pati aspak fjalë mërie, dhe as nuk mund të kishte përderisa Nojeri është kapiteni i Bajernit dhe i Gjermanisë, simboli më i madh i klubit sot për sot.
Është folur se portieri ka kërkuar rrogë 20 milionë euro në sezon për 5 vjet, por vetë Nojeri e ka përgënjeshtruar diçka të tillë. “Nuk ka lidhje me realitetin, – ka thënë ai, – nuk është e saktë. Nuk mund të kërkoj rrogë 5-vjeçare, pasi jam 34 vjeç dhe nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Më shumë se gjithçka kërkoj besim”. Duket se fjalët e Rumeniges ishin pikërisht për t’i treguar kapitenit besimin e klubit ndaj tij.
Sfidanti.al