Mrekullia e Mynihut, kur Maradona stërvitej ndaj Bajernit me ritmin e popit!

Futbolli e mban mend për shumë gjëra të tjera. Diego Armando Maradona është njeriu që shënoi golin e shekullit, siç u quajt ai ndaj Anglisë në çerekfinalet e Kupës së Botës në 1986. i shpallur si më i bukuri i Botërorëve në histori. Magjistari argjentinas mbahet mend edhe për golin e “Dorës së Zotit”, atë që e realizoi me dorën e majtë po ndaj Anglisë, në të njëjtën ndeshje. Gjithsesi, ai u shqua pa masë gjithashtu me Napolin në Itali e në Europë, dhe tashmë janë mbushur 31 vjet nga një moment i veçantë.

Ishte ndeshja gjysmëfinale e kthimit e Kupës UEFA në 1989, dhe Maradona realizoi atë që mund të quhet nxemja më e famshme në historinë e futbollit. Kjo ndodhi në stadiumin e vjetër “Olimpia Shtadion” të Mynihut, në prag të duelit ndaj Bajernit. Aty, në impiantin e ndërtuar për Lojrat Olimpike të vitit 1972, Diego kërceu dhe xhongloi topin nën ritmin e këngës së famshme “Lajf is lajf”, “Jeta është jetë”, të grupit austriak, “Opus”.

Pas disa minutazh argëtim e stërvitje, legjenda argjentinase udhëhoqi skuadrën në barazimin 2-2, që e kualifikoi për në finale, ndërsa në Napoli italianët kishin fituar 2-0. Në finale, napolitanët e Maradonës kapërcyen një tjetër ekip gjerman, Shtutgartin e Jurgen Klinsmanit, me shifrat 2-1 e 3-3 për të fituar trofeun e vetëm europian për klubin, Kupën UEFA. Maradona mbetet i pakrahasueshëm sepse udhëhoqi Napolin edhe në dy tituj të Serisë A, të vetmit për të gjitha kohët, si dhe Kupën e Italisë. Besohet se një arritje të tillë nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër në histori.

Sfidanti.al