Futbolli në Angli provon fatin: Stërvitje në 18 maj, ndeshje 3 javë më pas!

Qeveria nuk do ta ketë këtë lojë si pikë të veçantë në diskutimet e saj, duke përforcuar shprehjen e vjetër se “futbolli është gjëja më e rëndësishme, nga të parëndësishmet” (shkurt, punë qejfi). Gjithsesi, ata që merren me këtë sport në Angli e dinë se është diçka më shumë se kaq, pasi ka mijëra njerëz të punësuar, përveç yjeve që nuk po i përfshijmë në radhët tona si njerëz të thjeshtë.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubeve dhe të Premier Ligës kanë përpiluar një plan të guximshëm dhe të detajuar për mënyrën sesi mund të rinisë sezoni. Plani parashikon nisje të stërvitjeve në 18 maj, pra një muaj që sot, ndërsa 3 javë pas këtij afati, që i bie rreth 8 qershorit, të fryhet bilbili për ndeshjet e javëve të mbetura. Kuptohet, pa publik në stadiume, diçka që sjell humbje, por që është gjysma e së keqes. Këmbëngulja më e madhe për të zhvilluar sezonin e mbetur vjen nga 6 klubet kryesore, të njohur si “Gjashtëshje e madhe”, dhe që përfshin Liverpulin, Mançester Sitin, Mançester Junajtidin, Totenhemin, Çelsin dhe Arsenalin. Për të bërë të mundur këtë mrekulli do të duhet që të respektohen maksimalisht rregullat e largësisë shoqërore, si dhe kontrollet.

Sfidanti.al