Kriza në Ballkan, Dinamo Zagreb fitoi 30 milionë euro, Zvezdës i duhen 30 milionë!

“Fukarallëk, maskarallëk”, ka thënë turku i hershëm, dhe kështu po ndodh me klubet e futbollit në kohë krizë. Në Ballkan, kriza është më e ashpër kur vjen puna te konfliktet siç ndodhi e po ndodh ende tek Dinamo e Zagrebt. Njeriu i fortë i klubit, Zdravko Mamiç, deklaroi se edhe lojtarët e kampiones kroate duhet të ulin rrogat, siç po bëjnë Mesi e Ronaldo. Nuk vonoi përgjigja nga tifozët, të organizuar në grupin “Dinamo jemi ne” (“Dinamo, to smo mi”). “Lojtarët dhe stafi teknik, me suksesin në Champions, i sollën klubit 30 milionë euro të ardhura vetëm në vitin 2019, – shkruajtën ata, – këtu nuk po përfshijmë të ardhurat nga biletat, marketing, as nga transferimet e lojtarëve si Olmo, Rrahmani apo Shunjica”.

Histori tjetër tek Crvena Zvezda, por thjesht pa konflikte, pasi kriza financiare ekziston madje është ulur “këmbëkryq” në Beograd. Sekretari i Përgjithshëm i Zvezdës, me emrin pikërisht Zvezdan, dhe mbiemrin Terziç, deklaron në një intervistë për televizionin e klubit, se “që të mbijetojmë, do të na duhen 30 milionë euro në vit”. Problem i madh, pasi 40 për qind e të ardhurave të Zvezdës vijnë nga transferimi i lojtarëve, ndërsa klubet në Europë vështirë se do të shpenzojnë si më parë. Po ashtu, 25-30 për qind e të ardhurave të Zvezdës vijnë nga shitja e biletave, e po ashtu edhe sponsorët do t’i zvogëlojnë kontratat.

Sfidanti.al