Edhe UEFA po e ndihmon Realin për të marrë Kilian Mbapenë!

“Sirenat” janë nga më të ndryshmet, siç kanë qenë gjithnjë. Teza e fundit e hedhur në qarkullim është që Kilian Mbape është këshilluar të kalojë edhe një vit më shumë në Paris përpara sesa të shkojë në Madrid, por duket se 21-vjeçari nuk ka dëshirë që të presë. Moshën e ka thuajse të përshtatshme, nivelin e lojës dhe statistikat po ashtu (90 gola në 120 ndeshje në 3 sezone tek PSG-ja, madje 69 gola në 76 ndeshjet e fundit).

Një tjetër vërejtje interesante është që vetë UEFA, me rregullat e lehtësuara financiare për shkak të koronavirusit, po e ndihmon Realin që t’ia dalë. Në kushte normale, edhe madrilenët do ta kishin pasur vështirë të realizonin transferimin prej mbi 230 milionë eurosh, plus rrogën prej gati 600 000 euro në javë, dhe njëkohësisht të mbetej brenda normave të kërkuara nga Loja e Ndershme Financiare (Fair Play). Me lehtësimin e rregullave nga UEFA kjo mund të jetë e mundshme. Trajneri Zinedin Zidan kërkon nga klubi që të afrojë edhe mesfushorët Pol Pogna e Ngolo Kante, për të krijuar një treshe franceze me Mbapenë (duke pasur edhe Benzemanë dhe Varanin, po ashtu francezë). Me gjasë, do të largoheshin Garet Bejli, Luka Modriçi e Toni Krosi, por edhe Hames Rodrigezi.

Sfidanti.al