“Vëllezërit binjakë” nuk mendohej se mund të ndaheshin kaq lehtë, madje tifozët shpresonin që ata të mos ndaheshin fare. Gjithsesi, rrugët e jetës mund të ndryshojnë, dhe në fund të fundit, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku kanë karrierat e tyre, madje shumë të ndryshme. Belgu ia di shumë për nder Antonio Kontes që e mori nga Mançester Junajtidi dhe që e “bëri njeri” tek Interi, ndërsa Lautaro është njeriu i kërkuar nga të gjithë. Tani, që duket e sigurt se do të shkojë tek Barcelona, çfarë do të bëjë Konte?
Mediat italiane shkruajnë se trajneri zikaltër ka një listë të gjatë me emra. Këta janë Timo Verner (Lajpcig), Luka Joviç (Real Madrid), Antoni Marsial (Mançester Junajtid), Obamejang (Arsenal) dhe i riu Viktor Osimhen i Lilës. Për Vernerin ka konkurrencë nga Liverpuli e Bajerni, ndërsa gjermani është i preferuari, mund të luajë sulmues i parë, i dyti, mund të luajë në zonë e jashtë saj, të shënojë nga larg e nga afër, me kokë e me të dyja këmbët, të gjuajë edhe penallti. Joviç është më i ndryshëm, dhe nuk jep aq shumë garanci sa Verneri, por kur është mirë, bën mrekulli siç ndodhi tek Frankfurti. Ndoshta Reali ishte pak si shumë për të. Osimheni ka 18 gola në 38 ndeshje, ka 21 vjeç, është 1.85 metra shtatlartë dhe mbetet enigmë, ndërsa Marsial e Obamejang janë “njohje të vjetra”.
Sfidanti.al