Nuk është aspak e tepërt të thuhet se na ka ardhur në majë të hundës nga karantina, madje edhe neve që shkojmë përditë në punë. Mjaft të shohim njerëzit tanë të dashur të ngucen në 70-80 metra katrorë apartamente (ka që kanë edhe më pak), ndërsa nga ana tjetër të na ngrihen nervat nga lajmet, sidomos nëpër të famshmet “portale” apo në televizione për yjet e futbollit që predikojnë karantinë e sakrificë, ndërsa vetë kanë vila me oborre prej qindra metrash katrorë, me pishina, sauna, salla force, salla kinemaje e kush e di çfarë të tjerash për të plotësuar tekat e tyre.
Përtej këtyre “gërricjeve” na duhej edhe një lajm sesi Kristiano Ronaldo po kalonte izolimin në shoqërinë e familjes, ndërsa kishte veshur një palë pizhama që kushtuakan 2 300 euro apo 2 500 dollarë. Mediat britanike e llogarisnin në paundë stërlina dhe çmimi u dilte 2 000. Natyrisht, kur merr rrogën e Ronaldos, një çmim i tillë duket sikur i ke blerë pizhamat tek “Gabi”, dhe problemi më i madh këtu nuk duket edhe aq portugezi, por mediat që i vijnë nga prapa edhe kur ai lëshon ndonjë p… . Përveç kësaj, fajin e kemi vetë kur kënaqemi me lugën bosh, duke parë mrekullitë që nuk kemi për t’i parë ndonjëherë me sy për veten tonë, dhe që ata i blejnë me paratë që ne ua japim për të parë sesa bukur ata i bien topit.
Sfidanti.al