Rio Ferdinandi paska qenë fare pranë Barcelonës në 2008!

Një vit më vonë ai u vu përballë atyre që mund të kishin qenë shokët e tij, në finalen e Championsit dhe humbi. Rio Ferdinandi mund të kishte shtuar të paktën edhe dy Liga të Kampionëve në “kabinetin e tij të trofeve”, pasi në pranverën e vitit 2008 u kërkua nga katalanasit. Kanë kaluar 12 vjet që nga ajo kohë, dhe ish-qendërmbrojtësi i Mançester Junajtidit tregoi sesi trajneri i Barçës, Frenk Rajkard, bisedoi me agjentin e tij dhe deklaroi se do të donte që ta merrte në “Kamp Nou”.

Ky bisedim ndodhi kur sapo kishte përfunduar gjysmëfinalja parë e Championsit,të cilën Junajtidi e fitoi në dy ndeshje falë një goli të vetëm të Pol Skoullsit, përpara sesa të fitonte finalen ndaj Çelsit në Moskë. Ferdinandi sqaron se ai pati dëshirë të luante jashtë Anglisë, por gjithsesi gjykoi se nëse do të ishte i suksesshëm në “Old Traford” nuk kishte pse largohej. Nuk dihet sesi do të kishte shkuar karriera e anglezit, pasi në verë 2008, Rajkardi u largua nga Barcelona dhe trajner u emërua Pep Guardiola, me ide të tjera futbolli.

Sfidanti.al