Nuk mund të quhet lojtar tepër i bukur, në kuptimin që shumë gola i shënon në zonë, i shërbyer nga shokët. Gjithsesi, talenti është i madh për Erling Halandin, ndërsa ka edhe diçka tjetër që flet në favor të tij, pasaporta e tij europiane. Këtë mendon Reali i Madridit që, sipas “Markës”, po mendon për një sulmues të vërtetë me numrin “9”. Në “Bernabeu” gjykojnë se duhet një i tillë, pasi Benzema është 32 vjeç, edhe pse mbetet shumë i mirë, ndërsa sulmuesit e tjerë nuk janë ende aty ku duhet. Rodrigo e Vinisius janë të rinj, Mariano nuk bind, Joviç është gati për t’u kthyer tek Frankfurti, ndërsa Reinier apo Kubo janë edhe më të rinj.
Kartoni i Halandit mund të kushtojë 75 milionë euro (ndonëse CIEF-i e vlerëson në mbi 100), dhe tek Reali mendojnë edhe për Lautaro Martinezin. Argjentinasi kushton më shumë, 111 milionë euro, por për më tepër ka pasaportë argjentinase, jo të Komunitetit Europian. Kilian Mbape, ndërkaq, cilësohet si i pamundur për t’u marrë, ndërsa Nejmar nuk është se pëlqehet shumë për shkak të sjelljeve të tij.
Sfidanti.al