Shuhet legjenda e basketbollit, Stankoviç, trajneri i Oransodës ndaj Partizanit!

Në dhjetor 1968 një teknik nga Jugosllavia ishte në stolin e kampiones së Italisë që do të thyente për herë të parë izolimin Perëndimor të Shqipërisë. Ai ishte Borisllav Stankoviç, trajneri me origjinë serbe i lindur në Bihaç të Bosnjë-Hercegovinës, dhe që e pati të vështirë të mbërrinte në Tiranë, për t’u ndeshur me Partizanin në Kupën e Kampionëve në basketboll për meshkuj, sepse Oransoda e Kantusë kishte dy lojtarë amerikanë. Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në, por u gjet një “deux ex machina” dhe ndeshja e luajt. Ishte ndeshja më e famshme e basketbollit në historinë e Shqipërisë, e barazuar 73-73, me 48 pikë të Agim Fagut (pa tripikësha).

Të gjitha këto kujtohen sot kur mëson lajmin për vdekjen e Borisllav Stankoviçit në moshën 95-vjeçare, që u shua në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. i lindur në 9 korrik 1925, ai ishte bashkëthemelues i Crvena Zvezdës në basketboll, duke luatur dy vjet me Zvezdën, 2 vjet me Zheljezniçarin e Beogradit dhe 3 vjet me Partizanin. Te ky i fundit ishte edhe trajner, edhe lojtar, pastaj kaloi tek BSK dhe tek OKK Beogradi deri në 1965. Në vitet 1966-1969 drejtoi Oransodën e Kantusë, duke u bërë i pari trajner i huaj kampion i Italisë, ndërsa një vit u kthye tek OKK Beogradi. Në 1976 u bë Sekretar i Përgjithshëm i FIBA-s, detyrë që e mbajti deri në 2003. Në 1989 u bë i famshëm sepse ndryshoi rregullat e FIBA-s për të lejuar lojtarët e NBA-së që të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike 1992 në Barcelonë, si dhe në çdo turne të madh më vonë. Ashtu si Aleksandar Nikoliçi njihet si një nga baballarët e basketbollit jugosllav.

Sfidanti.al