Milani fiton Superkupën e Italisë, dorëzohet Juventusi kampion!

Kush tha që nuk duhet pasur besim te ky Milan? A ka shembull më të mirë sesa fitorja e një trofeu që vlen shumë kur arrihet ndaj skuadrës më të fortë të Italisë? Superkupa e vendit të Apenineve është e kuqezinjve të Montelës, të cilët triumfuan në finalen e luajtur në Doha të Katarit. Një emër i ri, shumë larg nga kampionët e mëdhenj të dikurshëm, si Pashaliç mori përsipër gjuajtjen vendimtare dhe tregoi sesa i pjekur ishte.
Finalja e Superkupës përfundoi 1-1, me golat e Kielinit dhe të Bonaventurës që në pjesën e parë. Heroi tjetër i milanistëve ishte “i paracaktuari nga fati”, portieri Xhixho Donaruma, që arriti të priste një penallti, atë ndaj Dibalës, ndërsa Bufon nuk ia doli me asnjërën. Nga pesë gjuajtje 11-metërshash përfunduan 4-3 për Milanin, që arriti një tjetër sukses ndaj Juventusit, pas atij në kampionat, në takimin e luajtur në “San Siro” (1-0). Ishte edhe një hakmarrje për humbjen e finales së Kupës së Italisë, ndaj të njëjtit kundërshtar, takim që u vendos nga një gol i vetëm i Matrit.

Sfidanti.al