Klopi: Sikur ta kishim shënuar golin e dytë 5 minuta më shpejt!

Ky është pengu i vetëm, ose të paktën më i madhi, që ka trajneri i Liverpulit. Goli i dytë i të vetëve erdhi në minutën e 94-ët, ndërsa kishin filluar dy pjesët shtesë 15-minutëshe, ndërsa nëse do të ishte realizuar më herët, do të kishte qenë përfundimtar. Me shifrat 2-0, të kuqtë kualifikoheshin për në çerekfinale, veçse kjo nuk ndodhi.

“Po kërkoj të gjej fjalët e duhura, – u shpreh Klopi pr “BT Sportin”, – gabimi ynë kryesor ishte që nuk shënuam golin e dytë pesë minuta më shpejt. Ne shënuam në kohët shtesë, jo brenda 90 minutave. Nëntëdhjetë minutat ishin të jashtëzakonshme, djemtë zhvilluan një lojë të mrekullueshme. Për fat të keq, pësuam golat në fund, që nuk duhej t’i kishim pësuar. Humbëm në një mënyrë të veçantë, dhe, ndershmërisht, nuk e kam të lehtë ta shpjegoj”.

Trajneri gjerman pohoi se goli i parë i Atletikos ishte një goditje, por jo tepër e madhe, pasi Liverpuli vazhdoi të luante mirë dhe do t’i mjaftonte të shënonte një herë për t’u kualifikuar. “Nuk ishte bukur të pësonim golin e parë, por mund ta përballonim, veçse i dyti ishte problem më i madh, – theksoi ai, – U duk se skuadra u ndje e lodhur pas atij goli. Habitem me mënyrën e lojës së Atletikos, me gjithë ata lojtarë cilësorë që ka. Natyrisht, ata e dinë vetë sesi luajnë, por sonte ndihem keq. Me gjasë, unë jam një humbës i keq”.

“Ne do të kthehemi sërish, por sot jemi jashtë, – pranoi Klopi, – është e qartë se dy vitet e kaluar patëm momente fati, gjë që është e nevojshme për të arritur finalen, por fati sot nuk ishte me ne”.

Sfidanti.al