Nga Rangniku te Bobani, Milani humb ndeshjen dhe tifozët!

“Populli” kuqezi nuk ka dalë në rrugë, por protestën e ka nisur në rrjetet sociale. Në pamundësi për të “marrë drurin” ndaj drejtuesve, i është lëshuar lojtarëve dhe i ka cilësuar si “një skuadër prej klounësh”. Humbja në “San Siro” ndaj Xhenoas riktheu kujtimet e para pak javëve, dhe tifozët kuptuan se vetëm Zllatan Ibrahimoviçi nuk mjafton. Suedezi e shënoi golin e tij, por vetëm për 1-2.

Duket se skuadra e ka ndjerë konfliktin e fundit në klub, diçka që ndoshta ziente prej kohësh, por që nuk ishte bërë publike. Shkarkimi i Zvone Bobanit, pozitat e lëkundura të Maldinit, dhe lajmet për akordin me trajnerin gjerman, Ralf Rangnik, kanë krijuar një kaos të vërtetë, të cilit nuk i dihet fundi. Trajneri Stefano Pioli po pyetet më shumë për fatin e tij të ardhshëm sesa për ndeshjen e radhës, diçka tjetër që po prish punë. Me gjasë, ky Milan nuk është ende gati as për Ligën e Europës, jo më për Championsin, e kur themi se nuk është gati do të thotë se “është i qelbur nga koka”. Zakonisht, kështu ndodh.

Sfidanti.al