Lebroni dhe Lejkërsat i japin fund serisë negative me Klipersat!

Sa më shumë afron plej ofi, aq më shumë merr pamjen e njeriut të “klonuar” për të synuar titullin kampion. Lebron Xhejmsi ka aftësinë për të treguar veten, ndërsa sezoni i rregullt vjen drejt përfundimit, dhe ai ishte udhëheqës i vërtetë në një ndeshje shumë të ndjeshme. Në “Stejpëlls Sentër” zhvillohej derbi i Los Anxhelosit, dhe Klipersat mund të quheshin favoritë sepse kishin 2 fitore në 2 ndeshje këtë sezon, si dhe 6 fitore radhazi ndaj Lejkërsave. Pikërisht tani, kur ka më shumë rëndësi forma e mirë, Lebroni shënoi 28 pikë dhe u bë lider në fitoren 112-103. Mbreti i basketbollit shtoi “racionin” e tij të përhershëm, 7 topa në tabela, 9 asistë dhe 2 bllokime gjuajtjesh. Entoni Dejvis pati 30 pikë, 8 topa në tabela, 2 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa Evëri Bredli ishte i shkëlqyer me 24 pikë.

Koui Leonard, shpresa e madhe e Klipersave, këtë herë nuk ishte i shkëlqyer, edhe pse nuk luajti keq. Shënoi 27 pikë, por gaboi shumë nga distanca (2-9). Po Xhorxh bëri më shumë, duke qenë shënuesi më i mirë i ndeshjes me 31 pikë, si dhe pati 6 topa në tabela, 3 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Fitorja bëri që Lejkërsat të forconin vendin e parë në Perëndim me 49 fitore e 13 humbje, ndërsa Klipersat të mbeteshin të dytët me 43-20. Publiku në “Stejpëlls Sentër” thirri “MVP, MVP” për Lebronin, duke kërkuar që ai të shpallej lojtari më i mirë i sezonit të rregullt.

Sfidanti.al