Derbi mes Tiranës dhe Partizanit do të luhet me tifozë, ndihmuar nga vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Disiplina vendosi të dënonte vetëm me gjobë klubet e Tiranës e të Kukësit, pasi një pjesë e tifozëve të tyre shkaktuan dëme të mëdha në “Arenën Air Albania”.
Tirana u dënua me 50 000 lekë gjobë për shkak se shkatërrimet më të mëdha u bënë nga tifozët e saj, ndërsa Kukësi duhet të paguajë 10 000 lekë. Në Arenë u shkatërruan gjithsej 164 stola, nga të cilët 145 u thyen nga tifozë kryeqytetas. Të dy klubet do të duhet të paguajnë edhe dëmet e stadiumit, të cilat vlerësohen në 16 000 euro, dhe kjo pagesë duhet të bëhet brenda 15 ditëve. Derbi mes Tiranës e Partizanit është planifikuar të luhet këtë të premte në mbrëmje në “Arenën Air Albania”, dhe pritet që stadiumi të mbushet plot, me të dyja skuadrat që pretendojnë titullin kampion në Superligë.
Sfidanti.al