Laçi e Vllaznia e kanë “autostradë”, Flamurtari e Luftëtari me “flamur të bardhë”!

Ishte rasti për kthesë dhe e shfrytëzoi. Laçi u kthye tek fitorja në Superligë pas dy humbjeve radhazi, duke shfrytëzuar faktin se po luante në fushën e skuadrës së vendit të fundit, Flamurtarit. Të besuarit e trajnerit Armando Cungu shfrytëzuan epërsinë e tyre në cilësi duke marrë tri pikët me shifrat 3-1, e duke mbetur në garë për kualifikim në Europë. Pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë, kampionati mbetet e vetmja mundësi e kurbinasve për këtë kualifikim.

Sulmuesi Nuabueze u kthye te goli, si dhe ndihmoi Xhixhën që të shënonte, me këtë të fundit që realizoi dy herë. Epërsia e Laçit ishte e ndjeshme, edhe pse vlonjatët e trajnerit Marselo Troizi, i patën disa mundësi. Miqtë nuk vuajtën as faktin se mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 51-të kur Turkaj u përjashtua nga loja për shkak se mori dy kartonë të verdhë.

Për ekipin e presidentit Pashk Laskaj fitorja ishte e rëndësishme, për renditjen, por edhe për moralin, sidomos pas disfatës bindëse pësuar në fushën e tyre nga Partizani, një javë më parë. Me këtë sukses, Laçi u ngjit në kuotën e 35 pikëve, duke qenë pranë rivalëve për Europën si Partizani, Teuta, Bylisi apo edhe Vllaznia. Shkodranët, gjithashtu arritën fitore këtë javë, duke mundur Luftëtarin 4-0 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Sfidanti.al