Do të vinte dita që të ndodhte. Pasi u kënaqëm me lojën dhe emocionet e dhëna në fushë nga dy skuadrat, tashmë duhet të merremi me atë që ndodhi në tribuna. Plot 164 ulëse u dëmtuan mbrëmjen e së shtunës në “Arenën Air Albania”, gjatë ndeshjes së Superligës, dhe burime në administratën e stadiumit bëjnë me dijë se dëmi financiar arrin në 16 000 euro.
Dëmtimet më të mëdha, madje në mënyrë të ndjeshme, u shkaktuan në tribunën jugore, aty ku ndodheshin tifozët e Tiranës, nj pjesë e të cilëve shkatërroi apo cënoi rëndë 145 stola. Në tribunën përballë saj, atë të krahut verior, dëmtimi nga tifozët kuksianë ishte shumë më i vogël, me vetëm 19 ulëse.
Gjithçka është filmuar dhe fotografuar, pra janë të dokumentuara momentet e vandalizmit, kur tifozët kanë shkulur stolat, janë hedhur sipër tyre, dhe copat plastike i kanë hedhur në fushë, duke rrezikuar tifozë të tjerë, lojtarë si dhe zyrtarë të ndeshjes. Kjo ishte hera e parë që Arena e përuruar në 17 nëntor në ndeshjen me Francën, pësoi dëmtime të tilla, por nuk besohet të jetë e fundit.
Federata Shqiptare e Futbollit e dënoi dhunën, dhe kërkoi nga Policia që të merrte masa për të ndaluar personat përgjegjës, e po ashtu të kryhet gjykimi i dënimi i fajtorëve sipas ligjeve të ashpërsuar muaj më parë.
Gjithsesi, edhe pse dhuna e tifozëve është problem rendi, ajo ka rrënjë më të thella. Sidomos në një vend si Shqipëria, ku pabarazia është rritur, punësimi është vështirësuar sidomos në biznesin e vogël, dhe cilësia e arsimit është cënuar për 30 vjet, dhuna e tifozëve është më së pari një problem shoqëror. Ndërkaq, dëmi financiar në “Arenën Air Albania” do të shlyhet nga të dy klubet, sidomos nga Tirana.