Mateusit i vjen një ide: Ore, ky Sanço do të ishte mirë tek Bajerni!

Mundësia më e madhe, të paktën siç është diskutuar deri tani, është që Xhejdën Sanço të kthehet në shtëpinë e tij në Angli. Ndoshta jo tek ish-klubi i tij, Mançester Siti, por padyshim tek Mançester Junajtidi, Liverpuli apo edhe tek Çelsi. Gjithsesi, në Gjermani, aty ku 19-vjeçari vazhdon të luajë për Dortmundin, ka lindur një ide. Këtë ide e ka Lotar Mateusi, ish-kapiteni i Bajernit dhe kombëtares gjermane, i cili mendon se adoleshentit anglez do t’i shkonte shumë pikërisht fanela e Bajernit.

“E imagjinoj shumë mirë Sançon tek Bajerni, – janë fjalët e rekordmenit të ndeshjeve të kombëtares gjermane, – çfarë do të bënte ai tek Çelsi apo tek Mançester Junajtidi, që mund të mos kualifikohen fare për në Champions? Tek Bajerni, ai do të bënte shumë punë, pasi mund të luajë edhe djathtas, edhe majtas”. Bajerni po mendon edhe Leroi Sanenë, që gjithashtu mund të luajë në të dy krahët, por gjermani u dëmtua rëndë pak muaj më parë. Kartoni i Sanços mund të shkojë mbi 120 milionë euro, por po ashtu edhe ai i Sanesë.

Sfidanti.al