Nuk mjaftuan problemet që solli gjatë verës, nuk mjaftoi as dëmtimi që e pengoi sërish që të luante aq ndeshje sa duhet. Nejmar duket se do të vazhdojë të jetë një shqetësim për Paris SG dhe trajnerin Tomas Tuhel, ashtu siç po bëhet me shpejtësi edhe Kilian Mbape. Sulmuesi brazilian kritikoi vendimin e klubit (nënkupto, të Tuhelit, tëmjekëve dhe të drejtuesve) që të mos e aktivizonin në 3 ndeshjet e fundit përpara duelit të Championsit në Dortmund.
“Unë e kuptoj se ata kishin frikë se mos unë dëmtohesha sërish, – u shpreh Nejmari pas ndeshjes, – por, nuk mund të jetë kështu. Unë duhej të kisha luajtur në ndeshjet e tjera më përpara, që të kisha formën time më të mirë”.
Tuhel pohoi se po të kishte qenë për të, Nejmari do të kishte luajtur më herët. “Të ishte për mua, ai do të kishte qenë në fushë Lionit, por nuk është e mundur të rrezikosh shëndetin e lojtarit. Padyshim, që do të kishte qenë më mirë nëse ai do të kishte luajtur ndaj Lionit apo Dizhonit. Kur Nejmar nuk ka ritmin e duhur, ne humbasim edhe një pjesë të cilësisë së Mbapesë”. Tani, PSG duhet të kthehet tek fitorja në kampionat dhe të shpresojë të fitojë ndaj Dortmundit me një Nejmar më në formë.
Sfidanti.al