Simeone e zuri “shah-mat”, por Klopi nuk eleminohet lehtë nga Europa!

Nuk është hera e parë që zihet ngushtë pas 90 minutave të para. Padyshim që edhe Jurgen Klopi është njeri dhe mund të gabojë, apo më mirë të themi mundet që rivali të paraqitet më mirë sesa ai në një ndeshje, por trajneri gjerman ka një të mirë që nuk dorëzohet kurrë. Një tifoz liverpulas theksonte në një koment për BBC-në, pas humbjes 0-1 të të kuqve ndaj Atletikos, se në 5 raste Klopi është mundur ose ka barazuar në ndeshjen e parë, por asnjëherë nuk është eleminuar.

I ndodhi në gjysmëfinalen e Ligës së Europës në 2015-2016, pasi zëvendësoi Brendan Roxhersin, dhe u mund 0-1 në Spanjë ngaVijarreali. Në “Anfild” pati përmbysje 3-1 dhe kualifikim për në finalen e humbur ndaj Seviljes. Sezonin e kaluar, Liverpuli u mund 0-3 në gjysmëfinalen e Championsit në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, por triumfoi 4-0 në “Anfild, në një nga mbrëmjet më të mëdha të futbollit europian, duke dalë në finale. Po sezonin e kaluar, barazoi 0-0 në “Anfild” me Bajernin, por skuadra e tij fitoi 3-1 n Mynih.

Nuk harrohet fitorja 4-3 ndaj Dortmundit në “Anfild” në Ligën e Europës në 2015-2016, (pas barazimit 1-1 në Gjermani), me Liverpulin që shënoi 3 gola në 33 minutat e fundit, duke përmbysur rezultatin nga 1-3 në 4-3. Pra, edhe Simeone është i paralajmëruar, edhe pse e zuri “shah-mat” Klopin në “Uanda Metropolitano”.

Sfidanti.al