Që kur mbërritën sheikët, paratë kanë rrjedhur lumë në Paris, por rezultatet nuk po duken. Padyshim, kampionia e Francës i ka shanset për t’u kualifikuar për në çerekfinale të Championsit, ndryshe nga dy edicionet e fundit kur u eleminua nga Reali e Junajtidi, por humbja në fushën e Dortmundit dhembi jo pak. Një skuadër për të cilën janë shpenzuar 1 miliardë euro afërsisht, këta vjet, nuk qe në gjendje të përballonte një rival ku luanin futbollistë 19 vjeçarë si Erling Haland e Xhejdën Sanço, madje edhe një 17-vjeçar si Gio Reina!
Të mendosh se trajneri Tuhel pati në fushë kaq shumë yje si Kejlor Navasin, Markinjosin, Tiago Silvën, Kimpemben, Mënierin, Verratin, Di Marinë, Mbapenë e Nejmarin, ndërsa në stol ishin Kavani e Ikardi. E gjitha kjo për të gjuajtur vetëm një herë në kuadrat në 90 minuta, pikërisht në minutën e 64-ët kur Nejmar barazoi përkohësisht rezultatin.
Sfidanti.al