Murinjo parashikon luftë për jetë e vdekje me Lajpcigun!

Nuk mund të mos e përdorte batutën, ndërsa ndodhet përballë një rivali më të ri në moshë, por të vlerësuar lart. Zhoze Murinjo do të luftojë ndaj Julian Nagelsmanit, ashtu si Totenhemi i tij do të jetë në një sfidë të madhe ndaj Lajpcigut gjerman në turin e dytë të Championsit. “Nuk do të jetë një duel mes Murinjos dhe “Murinjos” së ri, – u shpreh portugezi, – por, një përballje mes dy skuadrave”.

Spërsat janë në një moment të mirë të sezonit, por edhe shumë të vështirë, pasi Harri Kejn është i dëmtuar prej javësh, dhe koreanojugori Son u bashkua me të në infermieri. Të dy bashkë kanë shënuar pak më shumë se gjysmën e golave të Totenhemit këtë vit në Premier Ligë dhe Champions (31 nga 61), ndërsa që nga viti 2015, londinezët kanë qenë vetëm 3 herë njëkohësisht pa të dy. “Jemi në një situatë, si ai njeriu i varur në ballkonin e një kati të sipërm të një ndërtese të lartë, – u shpreh Murinjo, – nëse rrëzohemi, është fatale, por duhet të luftojmë për të shpëtuar. Është një luftë për jetë a vdekje”.

Murinjo vlerëson Lajpcigun si një skuadër me cilësi të madhe, me lojtarë shumë të mirë, që po e tregon veten duke luftuar për titull në Bundesligë. “Kanë qenë në vend të parë për shumë muaj, janë një pikë prapa vendit të parë, dhe mund të dalin kampionë në Bundesligë, kjo flet vetë, – u shpreh trajneri portugez, – Lajpcigu nuk ka historinë e Barcelonës apo Realit, por ka një ekip shumë të mirë”.

Sfidanti.al