Në një shtëpi ku nuk ka paqe, me gjasë dikush duhet të largohet. Këtë ndoshta e kanë kuptuar pronarët e Mançester Junajtidit, pjesëtarët e familjes amerikane Glejzër, që nuk janë pëlqyer kurrë nga tifozët, por ndarja qenka tepër e vështirë. “Deili Meil” shkruan se miliarderët nga përtej Atlantikut do të kërkonin 1 miliardë paundë stërlina (rreth 1.1 miliardë USD) që të pranonin të shisnin aksionet, duke shtuar se vetëm 20 njerëz në botë i kanë këto para për t’i shpenzuar për blerjen e klubit.
Jo vetëm kaq, por edhe stadiumi legjendar dhe emblematik, “Old Traford”, qenka në gjendje të keqe, a thua se është ndonjë stadium i Superligës së Shqipërisë (me përjashtim të “Arenës Air Albania”, së cilës “i merr të keqen”!). Tabloidi shkruan se do të duhen 200 milionë paundë stërlina të tjera për të sjellë “në terezi” “Teatrin e Ëndrrave”, që qenka kthyer në “Teatrin e Maktheve”, dhe jo vetëm për rezultatet e dobëta të skuadrës së Solskjerit. Kujt mund t’ia merrte mendja në 2013, kur Sër Aleks Fergusoni u largua, se gjërat do të mbërrinin deri këtu?!
Sfidanti.al