Duhej spektakël para Ndeshjes së Yjeve, u dha në Boston-Klipers!

Cila mund të jetë mënyra më e mirë për të shkuar në “Javën e Çikagos”? Publiku amerikan kërkonte një ndeshje të denjë që t’i paraprinte asaj të Yjeve, dhe dëshira iu plotësua edhe atyre në “Arenën” e Bostonit, edhe atyre që e ndoqën nga televizori. Boston Sëlltiks-Los Anxhelos Klipers ishte menuja, dhe basketbollistët në parket bënë gjithçka për t’ia dalë. Ata ia dolën! Bostoni fitoi 141-133, në një përballje që pati nevojë për dy kohë shtesë, pra që kishte 58 minuta lojë efektive.

Xhejzën Tatëm (Jayson Tatum) ishte më i miri në fushë me 39 pikë, por edhe me 9 topa në tabela. Markus Smart nuk e la vetëm duke realizuar 31 pikë të tjera, plus 4 topa në tabela, 3 asistë e 4 vjedhje topi, Kemba Uolker ishte shumë i mirë me 19 pikë, 9 topa në tabela e 7 asistë, dhe po ashtu Gordon Hajuard me 21 pikë, 13 topa në tabela e 4 asistë. Plot 8 basketbollistë vendas shënuan pikë, madje disa prej tyre shënuan shumë.

Klipersat sikur janë shuar këto javët e fundit, ndryshe nga rivalët e qytetit, Lejkërsat. Pol Xhorxh luajti shumë pak dhe dha pak kontribut, ndërsa ylli kryesor Koui Leonard ishte mirë, por jo në nivelet që kërkoheshin në këtë ndeshje. Shënoi 28 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 1 gjuajtje. Më i miri për kalifornianët ishte Lou Uilliams me 35 pikë, 6 topa në tabela e 8 asistë. Bostoni është i treti në Lindje me 38 fitore e 16 humbje, ndërsa Klipersat janë po të tretët në Perëndim me 37 fitore e 18 humbje.

Sfidanti.al