Sërish bie këmbana e Sarrit, mediat: Juventusi, jo për Champions!

Si i bëhet tani, kur duhen edhe fare pak ditë deri në rifillimin e Ligës së Kampionëve, dhe po ashtu kur gjërat në kampionat janë ndërlikuar mjaft? Mauricio Sarri ndoshta mund t’ia dalë tek Juventusi me kalimin e kohës, por nuk dihet nëse klubi torinez do t’ia japë këtë kohë e do të ketë besim, sidomos pas ndeshjes aspak bindëse në Kupë ndaj Milanit. Nga humbja u shpëtua prej pritjeve të Xhanluixhi Bufonit dhe prej Kristiano Ronaldos në sekondat e fundit, pra Juvja mund të kualifikohet për në finale e të pretendojë kupën, por loja e dobët nuk mund të fshihet.

A nuk u mor Sarri pikërisht për të luajtur më mirë sesa Alegri? Padyshim, mund të thuhet se është vështirë të ndryshohet stil tek një skuadër që tradicionalisht ka qenë ndryshe, po ashtu mund të theksohet fakti se Sarri nuk ka punuar kurrë me një skuadër të këtij niveli, pra edhe ai e ka të vështirë. Mediat italiane kanë kritika për kampionët dhe “La Gazeta delo Sport” titullon se “Ronaldo është për Champions, Juventusi jo!” Një kritikë indirekte vjen nga trajneri i shquar italian, Fabio Kapelo, ndonëse ai nuk përmend me emër Sarrin apo Juven. “Në Itali duan të kopjojnë Guardiolën, por harrojnë se po kopjojnë atë që Guardiola bëri 10 vjet më parë, – thotë ai, – sot, Siti është shumë më vertikal”.

Sfidanti.al