A mendon vërtet Klopi se Liverpulit i duhet sërish Kutinjo?!

Në Angli shkruajnë se ai e ka menduar, madje edhe ka bërë një përpjekje. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, besohet se ka takuar drejtorin e tij sportiv, Majkëll Eduardsin, dhe ka konsumuar një bisedë pune lidhur me kthimin e mundshëm të Filip Kutinjos në “Anfild”. Kjo paska ndodhur verën e kaluar, pak përpara sesa braziliani të shkonte hua tek Bajerni. Nuk dihet se cili ka qenë përfundimi i bisedës së dy burrave, por kuptohet se për momentin ideja nuk është quajtur e vlefshme.

Kartoni i Kutinjos kushton shumë, dhe këtë më mirë se kushdo e di Klopi, i cili pranoi transferimin e tij tek Barcelona për rreth 150 milionë euro në janar 2018. Për më tepër, Liverpuli pa Kutinjon ka qenë shumë i mirë, duke dalë në finale të Championsit në 2018, duke fituar Championsin në 2019 e duke qenë pranë titullit të parë kampion në Angli, në 30 vjet. Me gjasë, Barça mund ta ulë ndjeshëm kërkesën për kartonin e brazilianit, ndoshta deri në 100 milionë euro, apo edhe më pak. Stiv Mekmanaman, ish-yll i Liverpulit të viteve 90-të, thotë se “Kutinjo ia vlen sepse nëse Plani A nuk jep sukses, ai mund të ndikojë individualisht në rezultatin e ndeshjes, ai ka qenë i mrekullueshëm për Liverpulin”.

Sfidanti.al